Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ka pritur në takim ambasadoren e Finlanda në Kosovë, Eevamari Laaksonen, e cila e ka uruar për riemërimin në detyrë.
Sipas Maqedoncit, gjatë takimit është diskutuar për konceptin e mbrojtjes totale, përvojën dhe kontributin e Finlandës në zbatimin e këtij modeli, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e prokurimeve të mbrojtjes.
Në fokus të bisedës ka qenë edhe përparimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës ndër vite, si dhe kontributi i Kosovës në Forcat Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, që sipas ministrit dëshmon rolin e vendit si kontribuues në sigurinë ndërkombëtare.
Maqedonci theksoi se në takim është rikonfirmuar partneriteti mes Kosovës dhe Finlandës, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe besim të ndërsjellë, me synim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.

