Ish-kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke i cilësuar ato si pasojë të drejtpërdrejtë të ndryshimit të thellë të balancave në skenën politike pas zgjedhjeve të vitit 2021.
Në një prononcim për IndeksOnline, Mustafa u shpreh se dëmtimi që, sipas tij, iu bë LDK-së në ato zgjedhje, ka prodhuar pasoja që po reflektohen sot në funksionimin e institucioneve dhe në raportet mes pushtetit dhe opozitës.
“Ata që e dëmtuan LDK-në në vitin 2021 ia bënë sherrin më të madh Kosovës,” deklaroi ai, duke nënvizuar se dobësimi i kësaj partie ka ndikuar drejtpërdrejt në konfigurimin aktual të forcave politike.
Sipas Mustafës, situata e krijuar ka sjellë një realitet ku partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, mund të kandidojë formalisht dy emra për president, ndërsa opozita, siç tha ai, nuk arrin të sigurojë votat e mjaftueshme as për një kandidat të vetëm.
Ai theksoi se përgjegjësia për këtë gjendje nuk duhet t’i faturohet vetëm Vetëvendosjes, por edhe atyre që, sipas tij, i krijuan asaj fuqinë aktuale, të cilën tani e kanë të vështirë ta menaxhojnë. “Zgjedhja e presidentit apo presidentes varet nga partia e parë”, u shpreh Mustafa, duke lënë të kuptohet se procesi është thellësisht i varur nga kalkulimet politike të shumicës.
Në përfundim, ai paralajmëroi se, nëse ekziston vullnet politik, presidenti mund të zgjidhet pa shkuar në zgjedhje të reja. Por, sipas tij, nëse vlerësohet se zgjedhjet e parakohshme mund të dobësojnë edhe më tej opozitën, vendi mund të përballet sërish me një proces të ri zgjedhor.
Mustafa vlerëson se me raportet aktuale ndërmjet forcave politike rrezikohet balanca demokratike në vend, duke theksuar nevojën për rikthimin e një ekuilibri më të qëndrueshëm institucional.

