Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se deri në këto momente nuk ka asnjë marrëveshje politike me Lëvizja Vetëvendosje (VV) lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa ka ofruar dy alternativa për tejkalimin e situatës.
Zëdhënësi i LDK-së dhe deputeti Besian Mustafa, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë, deklaroi se aktualisht nuk ekziston një pajtim i gjerë politik mes partive parlamentare për këtë çështje.
“Ne patëm një takim të GP të LDK-së dhe mendimi i përbashkët është që zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të evitueshme dhe të panevojshme në këtë fazë”, tha Mustafa, duke theksuar se partia e tij nuk e sheh si të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje të reja.
Sipas tij, LDK ka paraqitur dy opsione konkrete për zgjidhjen e çështjes së presidentit. Opsioni i parë është arritja e një konsensusi të gjerë politik mes partive parlamentare, ku fillimisht do të kishte pajtim mbi parimet dhe më pas mbi emrat konkretë.
Opsioni i dytë, sipas Mustafës, është një marrëveshje politike klasike mes dy partive. “Marrëveshja politike, për dallim nga konsensusi i gjerë, nënkupton procedurë të njëjtë, por në këtë rast marrëveshje vetëm në mes të dy partive”, sqaroi ai.
LDK mbetet në qëndrimin se dialogu politik është rruga për të shmangur një krizë të re institucionale dhe për të garantuar stabilitet në vend.

