Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se janë gjetur mbetje mortore në lokacionin e njohur si “Përzhina” në Rahovec, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Sipas njoftimit, ende nuk dihet numri i saktë i personave dhe identiteti i tyre nga mbetjet mortore të gjetura sot, por këto informacione do të mund të konfirmohen pas analizave forenzike.
“Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike. Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të mund të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse forenzike”, thuhet në njoftim.
Në këtë lokacion gërmimet rifilluan pasi ishin ndërprerë në dhjetor të vitit të kaluar si pasojë e kushteve të motit.
“Gjatë aktiviteteve të zhvilluara në muajin dhjetor të vitit të kaluar janë realizuar gërmime vlerësuese vetëm në një sektor apo hapësirë të zonës së interesit, me ç’rast janë zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe janë gjetur disa pjesë kockore. Për shkak të kushteve të motit dhe disa faktorëve operacionalë, si dhe duke pasur parasysh sipërfaqen e madhe që kërkon verifikim dhe shqyrtimin e informatave shtesë, punimet në këtë lokacion ishin ndërprerë përkohësisht”, thuhet tutje në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë gërmimeve treditore në Përzhinë të Rahovecit, u gjetën eshtrat e dy personave, të cilët dyshohet se janë zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999. Në këtë lokacion, ku më herët kanë kryer kërkime edhe ekipe të Tribunalit të Hagës dhe të UNMIK-ut, dyshohej se ndodheshin mbetje mortore të tetë viktimave.
Gjatë vitit 2025, gërmime janë kryer në 33 lokacione dhe janë gjetur mbetje mortore të 22 individëve. Procesi pritet të vazhdojë edhe në vitin 2026.
Nga lufta e fundit në Kosovë (1998–1999), të zhdukur mbeten edhe 1 mijë e 577 persona.

