Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar përmes një postimi publik se do të propozojë zyrtarisht për President të Republikës ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, pas dështimit të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare për një kandidat konsensual.
Në reagimin e saj, VV rikujton se zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 erdhën si rezultat i një bllokade dhjetëmujore dhe, sipas saj, prodhuan rezultatin më të qartë politik në Kosovën e pasluftës. Sipas këtij subjekti, qytetarët votuan kundër bllokimit institucional dhe në favor të themelimit të shpejtë të institucioneve të reja.
Partia në pushtet thekson se, në përputhje me këtë vullnet, janë konstituuar pa vonesa Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa tash procesi ka kaluar në fazën e zgjedhjes së Presidentit – një proces që kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në sallë.
VV bën të ditur se si parti fituese ka propozuar fillimisht ofrimin e një kandidati konsensual dhe se ka ftuar disa herë në takim subjektet më të mëdha opozitare për të diskutuar emra të mundshëm. Megjithatë, sipas tyre, nga opozita nuk ka pasur propozime konkrete dhe janë refuzuar edhe emrat e ofruar nga mazhoranca.
Në këto rrethana, partia ka vendosur të dalë me kandidaturën e Konjufcës, duke e përshkruar atë si ish-kryetar të Kuvendit, deputet i shtatë legjislaturave dhe një ndër politikanët më të votuar në historinë e vendit.
Në fund të reagimit, VV i ka bërë thirrje sërish opozitës që të propozojë një kandidat alternativ, duke ofruar edhe mbështetje me nënshkrime nëse është e nevojshme. Sipas kësaj partie, zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe ekziston mundësia për të arritur pajtueshmëri politike për zgjedhjen e Presidentit.

