Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është treguar e ashpër me partinë në pushtet, duke insistuar se çdo gjë është në rend të ditës kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se amendamentet për t’u votuar presidenti nga populli nuk e evitojnë shkuarjen në zgjedhje.
“Sa herë flasim për interesat e qytetarëve, jemi në rend të ditës. Dhe sot nuk ka rend dite më të rëndësishëm sesa që të mos i çojmë qytetarët prapë në zgjedhje. Dhe kush po i çon në zgjedhje? Po i çoni ju që i keni marrë 51 për qind të votave dhe keni sjellë në rend të ditës amendamente kushtetuese, të cilat assesi nuk e evitojnë dërgimin e vendit në zgjedhje. Çka janë këto lojëra, çka doni me iu thënë qytetarëve kur ta shpërndani Kuvendin?”, tha ajo.
Bajrami kritikoi qeverinë për moszgjidhjen e çështjes së presidentit, duke thënë se vetëm disa orë e ndajnë vendin nga zgjedhjet e reja.
“Jemi vetëm disa orë para vendimit që shkojmë prapë në zgjedhje dhe po diskutojmë amendamente kushtetuese, siç u thamë, me katër vjet vonesë. Qytetarë të nderuar, të kthehemi te tema kryesore. Sot kjo seancë është thirrur për shpërqendrim të vëmendjes. Sot kjo seancë është thirrur nga ata të cilët para disa javësh i morën 51% të votave, për të na adresuar çështjen e bujqve të cilët s’i kanë marrë subvencionet e vitit të kaluar; për të adresuar çështjen e qytetarëve të cilët i pret një valë e re e inflacionit nga luftërat në botë. E këta dalin e u thonë njerëzve që inflacionin e kemi mbajtur nën kontroll me një vendim atje për çmimin e derivateve të naftës… Dhe këta sot na sjellin amendamente kushtetuese. Këta sot i ofendojnë të gjithë pacientët të cilët janë në spitale dhe vdesin pa barna esenciale. Ky është turp, turp”, theksoi ajo.

