GLSP-ja kërkon emërim të sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, jo ushtrues detyre

by informim peje

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka deklaruar se procesi i rregullt i rekrutimit për Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit duhet të përmbyllet me emërim, jo me vazhdim të ushtruesit të detyrës

Në një komunikatë, GLSP-ja ka deklaruar se një fenomen i tillë, për të cilin thotë se është i përhapur pothuajse në të gjitha kategoritë dhe institucionet publike, dëmton stabilitetin institucional, zvogëlon llogaridhënien dhe dobëson profesionalizmin e administratës publike.

banner

“Shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm ditën e djeshme, i cili njëkohësisht është edhe njëri nga kandidatët fitues, në vend që të pasohej me emërimin nga procesi i rekrutimit, përbën një praktikë shqetësuese në raport me respektimin e procedurave të rekrutimit në administratën publike. GLPS, përmes iniciativës CorrWatch, ka monitoruar këtë konkurs në të gjitha fazat e tij, që nga shpallja e konkursit e deri te faza e intervistave. Bazuar në monitorimin tonë të drejtpërdrejtë, procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nuk janë identifikuar shkelje që do të cenonin meritokracinë, profesionalizmin apo ligjshmërinë e procesit”, thuhet tutje në njoftim.

GLPS tutje ka deklaruar se mbetet shqetësues dhe absurd fakti që janë tejkaluar edhe afatet për mbajtjen e një pozite me ushtrues detyre, duke shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, aq më shumë kur procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar me ligjshmëri të plotë.

Sipas kësaj organizate, pozita të tilla drejtuese duhet të mbrohen nga çdo ndërhyrje apo tendencë për politizimin e tyre, dhe çdo hap tjetër përveç emërimit nga procesi tashmë i përfunduar i rekrutimit përbën shkelje ligjore.

“Për fund, GLPS konsideron që Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do duhej të angazhohej në përfundimin e procedurës së rekrutimit, rrjedhimisht fazës së emërimit, e jo të vazhdimit të një praktike të tillë. Për më tepër, çdo tendencë për të anashkaluar këtë proces të ligjshëm të rekrutimit është e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me parimin e meritokracisë, si dhe cenon sigurinë juridike dhe të drejtat e kandidatëve. Mospreferenca ndaj kandidatëve fitues nuk përbën bazë ligjore për anashkalim të procesit të zhvilluar”, thuhet tutje në njoftim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy