Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur mbështetje për iniciativën e presidentes Vjosa Osmanit për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Haxhiu bëri të ditur se tashmë ka pranuar amendamentet kushtetuese të dërguara nga presidentja, të cilat synojnë ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së kreut të shtetit. Sipas saj, një reformë e tillë do të ndihmonte në tejkalimin e bllokadave politike që shpesh kanë shoqëruar procesin e zgjedhjes së presidentit në Kosovë.
“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, theksoi Haxhiu në reagimin e saj publik.
Ajo gjithashtu u bashkua me thirrjen e presidentes Osmani drejtuar partive politike për të mbështetur amendamentet kushtetuese, duke vlerësuar se një ndryshim i tillë mund të kontribuojë në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e rolit të qytetarëve në zgjedhjen e presidentit.

