Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë në Ambasaden e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, në një moment që po ngjall interes dhe shumë pikëpyetje në skenën politike.
Takimi po mbahet pikërisht në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit, një zhvillim që ka shtuar kureshtjen për temat që mund të jenë diskutuar mes palëve.
Sipas rregullave kushtetuese, nëse presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda afateve të përcaktuara, vendi rrezikon të përballet me një krizë të re politike dhe institucionale.
Mandati i presidentes Osmani përfundon më 5 prill 2026. Ajo ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021, duke u bërë presidentja e gjashtë e Kosovës që nga përfundimi i luftës.
Në atë kohë, në procesin e votimit në Kuvendi i Kosovës morën pjesë 82 deputetë. Në rundin e tretë të votimit, Osmani mori 71 vota për, ndërsa 11 vota rezultuan të pavlefshme, duke siguruar kështu mandatin pesëvjeçar në krye të shtetit.

