Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka përmbushur obligimin e tij të paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit.
Ajo sqaroi edhe ndikimin e amandamenteve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli.
“Këto amandamente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që duhej të zgjidhej deri mbrëmë, pra për pasardhësin e menjëhershëm për mandatin tim. Arsyeja është shumë e thjeshtë, vetë amandamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.Kjo do të thotë se, edhe sikur këto amandamente të miratoheshin mbrëmë, ato nuk do të ndryshonin asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim. Pra, deri dje në mesnatë, ka qenë afati për zgjedhjen e pasardhësit tim, ai do të zgjidhej nga Kuvendi, dhe vetëm pas 5 vjetësh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli. Kjo nuk ka të bëjë me mandatin tim aktual”, tha Osmani.

