Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se vendi tashmë është përballë një procesi të pashmangshëm zgjedhor, pas zhvillimeve të fundit institucionale dhe dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani në Presidencë, Hamza tha se pjesëmarrja e tij ishte në respekt të ftesës së kreut të shtetit dhe në funksion të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Ai theksoi se gjatë diskutimit janë shqyrtuar disa alternativa për datën e mundshme të zgjedhjeve, ndërsa shtoi se për PDK-në çdo datë që do të caktohet nga presidentja është e pranueshme.
Sipas Hamzës, situata aktuale politike mund të ishte shmangur, duke theksuar se kanë ekzistuar mundësi të tjera për të mos arritur deri te shpërndarja e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ai ia atribuoi përgjegjësinë për këtë zhvillim Lëvizjes Vetëvendosje.
Hamza theksoi se PDK gjatë gjithë procesit është përpjekur të mbajë një qasje konstruktive dhe ka bërë përpjekje që vendi të ketë president, duke mos vendosur vija të kuqe ndaj asnjë partie politike.
Ai shtoi se partia që ai drejton do të respektojë çdo vendim që mund të merret nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit institucionale.
“Zgjedhjet janë të panevojshme, por në këtë fazë janë bërë të pashmangshme dhe janë në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi Hamza, duke shtuar se pret që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe transparente.

