Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) u bë e ditur se Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin e gjyqësorit, teksa u tha se kërkesa totale buxhetore ka qenë mbi 53 milionë euro, ndërkaq u miratuan mbi 38 milionë.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se Kuvendi Kosovës është shembulli më i keq i zbatimit të ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kuvendi është shembulli më i keq i zbatimit të ligjit”, tha Zogaj.
Ai theksoi se nga viti 2018 nuk sigurohet buxheti për bashkëpunëtorë profesionalë sikurse e parasheh ligji, duke shtuar se është ende 1/3 e bashkëpunëtorëve pa u plotësuar.
“Termi i përgjithshëm për me parafrazu është keqpardhje, pastaj baza nuk e di a është neglizhencë apo arrogancë. Cilado që është, pak keq i bie me thënë të drejtën. Më vjen mirë se si organizatë buxhetore i kemi shfrytëzuar krejt mundësitë me seriozitetin maksimal me prezentu buxhetin e Këshillit, duke tentu me prezantu se drejtësia është cështje nacionale e as perspektivë individuale e as kontekst politik, etj, etj”, tha Zogaj.
Ai shtoi se pavarësisht të gjithave, asnjëherë nuk kanë gjetur mirëkuptimin, dhe se këtë e tregon më së miri diferenca mes kërkesës për buxhet dhe aprovimit. Por, tha se shpresojnë të reflektojnë këto shqetësime, ngase do të reflektonin në performancën e Këshillit.
Paraprakisht, njoftimin për aprovimin e buxhetit nga Kuvendi i Kosovës, e bëri drejtori i Financave, Vehbi Behluli duke shtuar se 38 milionë euro është buxheti për paga dhe shtesa 28 milionë për 2 mijë e 321 pozita të punësuar në sistem.
Behluli tha se paraprakisht, Këshilli ka bërë përgatitjen e kërkesës buxhetore, duke ua dërguar Qeverisë dhe Kuvendit dhe më pas, përfaqësues të KGJK-së kanë marrë pjesë në dëgjimet publike që janë organizuar nga Qeveria.
Sipas Behlulit, ka dallim mes kërkesave të KGJK-së dhe atyre të aprovuara nga Qeveria për paga dhe shtesa.
Ai sqaroi se kërkesa në total e Këshillit për të gjitha kategoritë ka qenë mbi 53 milionë, ndërkaq është aprovuar mbi 38 milionë dhe direfenca është mbi 15 milionë. Saktësisht, Këshillit i janë ndarë 38 milionë e 514 mijë e 55 euro, ishin kërkuar 53 milionë e 900 mijë e 928 euro, e që rrjedhimisht iu ndanë 15 milionë e 386 mijë e 873 euo më pak.
Gjithashtu, për Pallatin e Drejtësisë tha se nuk është aprovuar kërkesa buxhetore, duke njoftuar se do të krijohen probleme të mëdha në menaxhimin e tij.
Me këtë kërkesë, sipas Behlulit, do të kenë probleme në realizmin e misionit dhe vizioneve për të gjitha kategoritë prej pagave dhe shtesave, për mallra dhe shërbimeve. Tha se do të kenë probleme me inicimin e procedurave të reja të prokurimit, te subvencionet dhe transferet- ku subvencohen personat e privuar kundërligjshëm nga liria.
“…deri tash kërkesat e aprovuara janë 800 mijë euro, kurse është paraparë buxhet, sipas ligjit, vetëm 500 mijë euro”, u shpreh ai duke folur për personat e privuar kundërligjshëm nga liria.
Në anën tjetër, drejtori i Sekretariatit të KGJK, Shkelzen Maliqaj, tha se edhe përkundër që janë paraparë pozita për Gjykatën Administrative, ato pozita nuk janë buxhetore duke krijuar probleme në funksionalizim të saj.
Ndërkaq, kryesuesi Zogaj tha se Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave duket se komunikojnë sikurse “midis dy republikave” mes tyre. Sipas tij, nuk është gjet mirëkuptim nga Ministria e Financave.
Ndërkaq, lidhur me Pallatin e Drejtësisë, Zogaj tha se e kanë gjet derën e mbyllur te Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas tij, është për keqardhje që çdo vit ka diskutim në Këshill për reduktim të punëve për shkak të neglizhencës së personave që legjitimohen për t’i përfunduar detyrat e tyre. Tha se ndoshta fjalët e tij do të shkojnë në vesh të shurdhër, por e tij është që në secilin rast ta tregojë situatën.

