Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Iranin përveç “dorëzimit pa kushte”, duke ashpërsuar retorikën ndaj Teheranit mes tensioneve të vazhdueshme në rajon.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se vetëm pas një dorëzimi dhe zgjedhjes së një udhëheqjeje që ai e cilësoi si “të madhe dhe të pranueshme”, SHBA-ja dhe aleatët e saj do përkushtohen dhe do të punojnë për rimëkëmbjen e Iranit.
“Ne dhe shumë nga aleatët dhe partnerët tanë do të punojmë pa u lodhur për ta rikthyer Iranin nga pragu i shkatërrimit, duke e bërë atë ekonomikisht më të madh, më të mirë dhe më të fortë se kurrë më parë”, shkroi Trump, duke përdorur edhe sloganin “Ta bëjmë Iranin të madh përsëri (MIGA)”, një referencë ndaj motos së tij politike.
Deklarata e tij erdhi pasi presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se disa vende kanë nisur përpjekje për ndërmjetësim për të ulur tensionet, pa bërë publike se cilat shtete janë përfshirë në këtë proces.
Në një reagim në rrjetet sociale, Pezeshkian theksoi se Irani mbetet i përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon, por paralajmëroi se vendi nuk do të hezitojë të mbrojë sovranitetin dhe dinjitetin e tij kombëtar.
Deklaratat vijnë në një moment kur tensionet rajonale janë rritur, ndërsa disa shtete arabe fqinje të Iranit po shqyrtojnë reagimin e tyre ndaj sulmeve raketore iraniane që kanë shënjestruar baza amerikane dhe infrastrukturë civile e energjetike në rajon.

