Arrestohet një i dyshuar për “vrasje në tentativë” në Mitrovicë të Veriut, policia gjen armë, granatë dhe substanca narkotike

by engel

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” në Mitrovicë të Veriut, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur armë, municion, mjete shpërthyese dhe substanca narkotike.

Sipas njoftimit të policisë, rasti është raportuar më 6 mars 2026 rreth orës 21:20, pasi Spitali Rajonal në Mitrovicë të Veriut kishte njoftuar se një person ishte pranuar për trajtim mjekësor me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.

banner

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Anri Dinan”, pas një mosmarrëveshjeje verbale që lidhej me një qiradhënie. Sipas dyshimeve fillestare, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, kanë sulmuar viktimën fizikisht dhe më pas njëri prej tyre e ka goditur me thikë katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak.

Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta operative dhe ka arritur të identifikojë automjetin e përdorur nga të dyshuarit, i cili ishte i parkuar afër vendit të ngjarjes dhe më pas është sekuestruar.

Pas hetimeve, është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit, B.I. (2000), në banesën e familjarëve të tij në Mitrovicë të Veriut. Sipas policisë, ai kishte tentuar të largohej, por është kapur dhe arrestuar nga zyrtarët policorë.

Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe thikën që dyshohet të jetë përdorur në sulm, si dhe një arsenal armësh dhe pajisjesh të tjera, përfshirë një armë automatike AK-47, municion të kalibrit 7.62 mm, një granatë dore, shok-bomba, antiplumb dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se lidhen me narkotikë, si peshore, mulli për bluarje dhe qese paketimi. Gjithashtu janë gjetur bimë narkotike dhe një cigare që dyshohet të jetë marihuanë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve shpërthyese, të cilat kanë larguar në mënyrë të kontrolluar mjetet eksplozive të gjetura.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe në prani të avokatit mbrojtës ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të prokurorit të shtetit ai është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se në këtë rast dyshohet të jenë të përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në arrati dhe po kërkohen nga autoritetet. Ndaj të arrestuarit janë iniciuar procedura për veprat penale “vrasje në tentativë”, “mbajtje e paautorizuar e armëve” dhe “posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy