Kosovës nuk i përshtatet sistemi presidencial!

by informim peje

Nga Albert Prenkaj

Në stilin tipik ballkanik, për të mos e quajtur bizantin, në orët e fundit të Legjislaturës së dhjetë u ringjall dëshira për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli. Vëzhguesi neutral do ta vlerësonte këtë veprim sot, njësoj si atë para 14 vitesh, si manovër për t’u matur publikisht, drejtpërdrejt me votën e qytetarëve, duke mos lejuar që deputetët të bëjnë llogari personale apo grupore gjatë procesit të votimit të presidentit.

banner

Historiku i presidentëve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës flet vetë për vete. Dy presidentë, të cilëve Gjykata Kushtetuese ua ndërpreu mandatin; një president që u ftua nga gjykata për trajtim gjyqësor; një presidente konsensuale e propozuar nga miqtë ndërkombëtarë dhe presidentja jokonsensuale, e cila me dëshirën për t’u rizgjedhur kërkon nga Kuvendi të bëhen ndryshime kushtetuese, me shpresën se mund ta ruajë pozitën.

Duke e njohur mentalitetin shoqëror, historik-kulturor dhe atë politik, aty ku fërkohen egot, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, afiniteti për autoritarizëm, centralizim të vendimmarrjes dhe poltronizëm, mendoj se e devijon rolin e postit përbashkues të shoqërisë. Gradualisht, kjo pozitë mund të fitojë përgjegjësi shtesë ekzekutive që do ta centralizonin fuqinë vendimmarrëse te një person me ego të sfiduar.

Antiteza e kësaj mund të jenë argumentet e sistemit presidencial të SHBA-së, ku fuqia ekzekutive qëndron mbi supet e presidentit, apo sistemi hibrid në Francë, ku fuqia ekzekutive ndahet mes presidentit dhe qeverisë.

Në shumë vende demokratike evropiane sistemet politike janë monarki kushtetuese, në të cilat pushteti mbretëror është pothuajse tërësisht ceremonial. Ndërsa në sistemet republikane në Evropë, presidenca gjithashtu ka përgjegjësi kryesisht protokollare, akredituese dhe garantuese të kushtetutshmërisë.

Vendet me premisa autoritarizmi mund të rrëshqasin në krijimin e autoriteteve të padiskutueshme me premisa teokratike, diktatoriale apo demokrature.

Prandaj, mendoj se Kosova nuk do të duhej të futej në aventura të një presidenti që del nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve, sepse në këtë mënyrë rrezikon t’i jepet fuqi e lartë ideve, ideologjive dhe projekteve vështirë të kontrollueshme, si dhe veprimeve voluntare të pandalshme, që jo domosdoshmërisht shprehin vullnetin qytetar.

Shumë fuqi në duart e një njeriu është rrezik permanent!

Shteti duhet të jetë në shërbim të emancipimit të shoqërisë dhe pranimit të vlerave demokratike, të cilat shmangin dhe luftojnë mendësinë autoritare dhe diktatoriale.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy