Dështimi për zgjedhjen e presidentit të enjten mbrëma dhe shpërndarja e Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani, është raportuar edhe në mediat ndërkombëtare.
Reuters, në një shkrim për situatën politike në Kosovë shkruan se një fitore e madhe zgjedhore nga partia e kryeministrit Albin Kurti, Vetëvendosje, në dhjetor dukej se do t’i jepte fund bllokadës. Megjithatë, megjithëse Vetëvendosje fitoi mjaftueshëm ulëse në parlament për të formuar qeverinë, ajo nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen e opozitës që kërkohet për zgjedhjen e presidentit.
“Ky veprim e zgjat ngërçin politik në Kosovë, shteti më i ri në Evropë, i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendi nuk pati një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i përçarë nuk arriti të zgjedhë kryetarin e Kuvendit për muaj të tërë”, thuhet mes tjerash.
Gjithashtu, përmendet fakti se pak më shumë se brenda një viti mund të mbahen zgjedhjet e treta parlamentare.
“Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tretat brenda pak më shumë se një viti. Kosova tashmë mbajti zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor, pasi dështoi të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.
Politico dhe Le Monde janë disa prej mediave tjera që kanë shkruar mbi situatën politike në vend në mes plot paqartësive kushtetuese dhe politike.
Politico shkruan se vendimi i Kurtit për të mos mbështetur Osmanin edhe për një mandat për presidente shënon fundin e një aleance kyçe politike në Kosovë, pasi kryeministri e kishte mbështetur atë në zgjedhjet e fundit presidenciale në 2021, por këtë herë zgjodhi të mos e bëjë.
Ndërkohë Le Monde ka transmetuar deklaratën e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani e cila tha se “njerëz të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme e sollën vendin këtu.”
Aty përmendet edhe fakti se zgjedhjet e reja pritet të ngadalësojnë më tej negociatat me Serbia, e cila kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet kyç për ambiciet e të dy vendeve për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, përfundon Le Monde.

