Zëdhënësi i Qeverisë: Hamza s’i tha asnjëherë Kurtit që e kishte problem Konjufcën

by informim peje

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i është përgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës pasi kjo e fundit u shpreh se ka qenë e hapur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike si dhe ka ofruar edhe marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e presidentit, por se VV-ja ka refuzuar.

Manxhuka ka thënë se kryeministri Albin Kurti e kishte ftuar kryetarin e PDK-së në takim dhe se Bedri Hamza nuk kishte paraqitur kundërshti për Glauk Konjufcën si personalitet, që VV-ja e propozoi kandidat.

banner

Ai ka shtuar se Konjufca u kandidua “krejt në fund” të afatit në pritje të një marrëveshje me opozitën.

Manxhuka ka theksuar se VV-ja kishte pasur problem me emra të atyre që u bënë presidentë më 2011 dhe 2016, por se nuk nuk u takuan me ta.

“Si LVV në vitet 2011 dhe 2016 kemi pasur problem me emrat e përveçëm të atyre që u bënë presidentë asokohe. Dhe në vend të takimeve me neve, pushteti atëbotë na përndiqte e shtypte me polici. Bedri Hamzën e ftoi KM Kurti dy herë në takim dhe kanë komunikim normal e të mirë. Hamza asnjëherë s’ia ka thënë Kurtit që ka naj problem me Glauk Konjufcën si personalitet, e të cilin LVV e kandidoi krejt n’fund të afatit për president në pritje të ndonjë marrëveshje me opozitën”, ka shkruar në Facebook Manxhuka.

Tahiri i PDK-së ka thënë të shtunën se problemi nuk është presidenti, por dëshira e VV-së për të kontrolluar çdo institucion. Ai ka thënë tutje se derisa nuk i ka pasur votat, VV-ja është dashur të kërkojë marrëveshje dhe konsensus, duke shtuar se VV-ja kishte refuzuar marrëveshjen dhe se ka insistuar vetëm në kandidatë partiakë.

“Pra, alternativa kishte. Zgjidhje kishte. Mungoi vetëm vullneti politik i shumicës parlamentare. Ose, thënë më saktë: në Lëvizjen Vetëvendosje mbizotëroi etja dhe dëshira për pushtet dhe kontroll absolut”, u shpreh Tahiri.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy