Një nga përballjet më të mëdha të futbollit italian zhvillohet sonte në San Siro, ku rivale të përjetshme AC Milan dhe Inter Milan do të përballen në derbin e njohur si “Derbi della Madonnina”.
Kjo ndeshje është një nga derbitë më historike në Serie A, duke sjellë gjithmonë emocione dhe rivalitet të fortë mes dy klubeve të qytetit të Milanos. Në historinë e përballjeve direkte, Interi mban epërsinë me 91 fitore, ndërsa Milani ka regjistruar 83 fitore, ndërkohë që 71 ndeshje janë mbyllur me barazim.
Megjithatë, forma e fundit mes dy skuadrave i jep një motiv shtesë zikaltërve për këtë sfidë. Interi synon t’i rikthehet fitores në derbi, pasi nuk ka arritur të triumfojë ndaj Milanit që nga prilli i vitit 2024. Në përballjen e fundit, ishte Milani që doli fitues me rezultat minimal 0–1.
Për Interin, kjo ndeshje shihet si një mundësi për të rikthyer epërsinë psikologjike në rivalitetin qytetar dhe për të konfirmuar traditën e mirë që ka në statistikat historike të derbit.
Takimi mes dy gjigantëve të futbollit italian pritet të nisë në orën 20:45 dhe, si zakonisht, pritet të ofrojë një atmosferë të jashtëzakonshme dhe një spektakël të madh për tifozët e futbollit.

