Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, është gjendur në qendër të debatit politik në vend pasi bëri një thirrje për qetësimin e tensioneve me vendet fqinje, një qëndrim që nga disa është parë si përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në rajon.
Në një deklaratë publike, Pezeshkian kërkoi falje ndaj vendeve të Gjirit që mund të jenë prekur nga veprimet e Iranit dhe u bëri thirrje atyre të mos përfshihen në sulmet e ndërmarra nga Donald Trump dhe Izraeli kundër Iranit.
“Unë personalisht u kërkoj falje vendeve fqinje që u prekën nga veprimet e Iranit”, deklaroi presidenti iranian, duke theksuar se Teherani synon të shmangë zgjerimin e konfliktit në rajon. Ai gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Uashingtonit për dorëzim pa kushte të Republikës Islamike, duke e cilësuar atë si një “ëndërr”.
Sipas tij, këshilli i përkohshëm i udhëheqjes së Iranit ka rënë dakord që sulmet ndaj vendeve fqinje të pezullohen, nëse këto vende nuk përdoren si baza për sulme kundër Iranit.
Megjithatë, deklaratat e tij shkaktuan reagime të forta brenda vendit, veçanërisht nga përfaqësuesit e linjës së ashpër politike dhe ushtarake. Kleriku dhe deputeti konservator Hamid Rasai e kritikoi ashpër presidentin në rrjetet sociale, duke e cilësuar qëndrimin e tij “joprofesional, frikacak dhe të papranueshëm”.
Kritika të ngjashme erdhën edhe nga figura të lidhura me Garden Revolucionare të Iranit, ndërsa disa ish-komandantë të saj kundërshtuan publikisht idenë e një kërkimfaljeje ndaj vendeve të rajonit.
Ndërkohë, kryetari i Gjyqësorit iranian, Mohsen Ejei, deklaroi se territori i disa vendeve të rajonit po përdoret, hapur ose fshehurazi, për sulme kundër Iranit dhe paralajmëroi se Teherani do të vazhdojë me kundërpërgjigje nëse këto sulme vazhdojnë.
Pavarësisht kritikave, analistët e shohin deklaratën e presidentit si një përpjekje për të ulur tensionet në Gjirin Persik dhe për të shmangur përhapjen e konfliktit në një rajon tashmë të brishtë nga përplasjet gjeopolitike.

