Rënia e numrit të nxënësve krijon tepricë mësimdhënësish në Kosovë, mbi 3 mijë më shumë se nevoja

by engel

Rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve në shkollat e Kosovës po krijon një situatë të re në sistemin arsimor: numri i mësimdhënësve po rezulton më i madh se nevojat reale të shkollave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra për Arsim e Kosovës, nga viti 2022 deri në vitin 2026 numri i nxënësve në shkollat e vendit është zvogëluar për rreth 39 mijë. Kjo rënie ka ndikuar drejtpërdrejt në raportin mes nxënësve dhe mësimdhënësve.

banner

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se aktualisht në sistemin arsimor janë mbi 29 mijë mësimdhënës, duke përfshirë edhe stafin administrativ dhe teknik. Megjithatë, nëse do të zbatohej në mënyrë strikte formula e financimit për arsimin, numri i nevojshëm i mësimdhënësve do të ishte rreth 26 mijë.

Kjo nënkupton se aktualisht ekziston një tepricë prej rreth 3 mijë mësimdhënësish. Sipas Pupovcit, moszbatimi i plotë i formulës së financimit krijon vështirësi për komunat, pasi një pjesë të pagave duhet ta mbulojnë nga burimet e tyre buxhetore.

Ekspertët e arsimit theksojnë se kjo situatë kërkon zgjidhje graduale, në mënyrë që mësimdhënësit të mos mbesin pa punë. Një nga opsionet është që vendet e lira të krijohen natyrshëm kur mësimdhënësit dalin në pension. Po ashtu, propozohet bashkimi i klasave me numër të vogël nxënësish dhe integrimi i disa shkollave të vogla në institucione më të mëdha arsimore.

Një tjetër alternativë është që mësimdhënësit të angazhohen në role shtesë brenda shkollës, si kujdestari klase, këshilltarë karriere apo organizatorë të aktiviteteve edukative dhe jashtëmësimore.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikates së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, thotë se para çdo vendimi duhet të bëhet një analizë e plotë e situatës, duke marrë parasysh dy çështje kryesore: fatin e nxënësve në shkollat që mund të mbyllen dhe të ardhmen e mësimdhënësve që punojnë aty.

Ai thekson se sindikata angazhohet që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë, duke përmendur si shembull organizimin e mësimit tërëditor në disa shkolla në Prishtinë, ku mësimdhënësit që nuk kanë pasur normë të plotë janë angazhuar në aktivitete shtesë me nxënësit.

Sipas të dhënave të sistemit arsimor, që nga viti 2009 aplikohet formula e financimit që parashikon një mësimdhënës për 21.3 nxënës. Megjithatë, statistikat aktuale tregojnë se raporti real është rreth një mësimdhënës për 13 nxënës, çka e rrit më tej hendekun mes nevojave dhe numrit të stafit arsimor.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy