Shefi aktual i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati estonez Aivo Orav, pritet të përfundojë mandatin e tij në Kosovë në fund të muajit mars. Lajmi bëhet i ditur nga burime diplomatike, sipas të cilave Orav pritet të marrë një rol të ri në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian.
Sipas këtyre burimeve, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, pritet ta emërojë Oravin në detyrën e Shefit të Delegacionit të BE-së në Turqi, me seli në kryeqytetin turk, Ankara.
Orav e kishte marrë detyrën si drejtues i Zyrës së BE-së në Kosovë më 2 shtator 2024, duke pasuar në këtë post diplomatin çek Thomas Szunyog. Gjatë mandatit të tij në Prishtinë, ai ka përfaqësuar Bashkimin Evropian në marrëdhëniet me institucionet e Kosovës dhe ka ndjekur proceset që lidhen me reformat dhe integrimin evropian.
Diplomati estonez ka mbi 30 vjet përvojë në diplomaci dhe në çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian, duke shërbyer në role të ndryshme në nivel kombëtar dhe në institucionet e BE-së.
Me rastin e marrjes së detyrës në Kosovë në vitin 2024, Orav kishte theksuar rëndësinë e partneritetit mes BE-së dhe Kosovës, duke u zotuar se do të punojë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për të forcuar marrëdhëniet politike dhe diplomatike, si dhe për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

