Gjyqtari i Gjykates Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban, ka kërkuar përjashtimin e tij nga procesi i vendimmarrjes për kërkesën që lidhet me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Republikës së Kosovës. Megjithatë, kërkesa e tij është refuzuar në mënyrë unanime nga gjyqtarët e tjerë të Gjykatës.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, më 9 mars 2026 gjyqtari Laban paraqiti kërkesën për përjashtim nga shqyrtimi dhe vendimmarrja në lidhje me lëndën KO72/26, e cila ka të bëjë me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Po atë ditë, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri që ta refuzojë këtë kërkesë, duke e lënë Labannin pjesë të procesit të shqyrtimit.
Kjo çështje lidhet me dekretin e presidentes Osmani, për të cilin Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur një masë të përkohshme, duke pezulluar veprimet deri më 31 mars, ndërsa vazhdon shqyrtimi i plotë i lëndës.
Emri i gjyqtarit Laban ishte përfshirë edhe më herët në debat publik. Në gusht të vitit të kaluar, presidentja Osmani kishte tërhequr një kërkesë që kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi Laban ishte caktuar gjyqtar raportues në atë rast.
Në atë kohë, Osmani kishte deklaruar se ndaj gjyqtarit ekzistojnë informacione të institucioneve të sigurisë për një veprimtari që ajo e cilësoi të rrezikshme gjatë viteve 2018, 2021 dhe 2024. Presidentja kishte theksuar se nuk mund të bëjë publike detaje të mëtejshme, pasi bëhet fjalë për vlerësime të klasifikuara që lidhen me sigurinë kombëtare të Kosovës.

