Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti i kishte dhënë mbështetje të plotë për kandidaturën e saj për presidente, duke e vlerësuar në mënyrë shumë pozitive gjatë diskutimeve që kishin zhvilluar para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Në një intervistë televizive në TV Syri, Osmani tha se Kurti ishte zotuar që ata do të vazhdonin bashkëpunimin politik si një binom që, sipas tij, kishte sjellë shpresë për Kosovën.
Sipas Osmanit, gjatë bisedave të tyre Kurti kishte përdorur vlerësime në superlativ për punën e saj, duke i thënë se ajo ishte “presidentja më e mirë e shekullit 21”.
Ajo theksoi se ky vlerësim dhe mbështetja për kandidaturën e saj kishin qenë pjesë e diskutimeve të drejtpërdrejta mes tyre, duke shtuar se kryeministri kishte theksuar se bashkëpunimi i tyre politik ishte i rëndësishëm për vendin.
Osmani kujtoi gjithashtu rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë të mbajtura më 14 shkurt 2021, kur sipas saj ata morën mbi 400 mijë vota së bashku. Pas atij rezultati, Kurti u zgjodh kryeministër, ndërsa Osmani më pas u zgjodh presidente e Kosovës.
Deklaratat e saj u bënë gjatë një interviste me gazetarin Çim Peka, ku ajo foli për zhvillimet politike dhe për raportet që ka pasur me kryeministrin gjatë periudhës së bashkëpunimit të tyre politik.

