Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më shumë se 20 raste në të cilat Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetuten e Republikës së Kosovës gjatë viteve të fundit.
Deklarata e saj u bë gjatë një interviste televizive te Çim Peka, në një kohë kur marrëdhëniet mes presidentes dhe kryeministrit Albin Kurti janë përkeqësuar ndjeshëm në skenën politike të vendit.
Osmani tha se, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ekzistojnë “mbi 20 raste të ndryshme” ku është konstatuar se Qeveria ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën. Këto raste lidhen me vendime apo veprime të institucioneve ekzekutive që janë kontestuar dhe më pas janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, deklarata e presidentes ka rikthyer në vëmendje edhe kritikat që i janë bërë asaj në të kaluarën për mungesë reagimi publik ndaj këtyre vendimeve të Gjykatës. Gjatë viteve të fundit, në disa raste kur Kushtetuesja kishte konstatuar shkelje nga institucionet qeveritare, Osmani ishte kritikuar nga opozita dhe analistët për heshtje ose reagime të kufizuara.

