Një grua nga Florida është arrestuar pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt shtëpisë së këngëtares së njohur Rihanna në Los Angeles, ndërsa ajo ndodhej brenda banesës.
Sipas Policisë sw Los Angeles, e dyshuara është identifikuar si Ivanna Lisette Ortiz, 35 vjeçare nga qyteti Orlando. Ajo është arrestuar nën dyshimin për tentativë vrasjeje dhe po mbahet në paraburgim me një garanci prej mbi 10 milionë dollarësh.
Autoritetet bëjnë të ditur se e dyshuara është ndalur me automjetin e saj të bardhë Tesla para rezidencës së këngëtares në zonën Beverly Crest rreth orës 13:20 të së dielës dhe ka hapur zjarr duke shkrepur më shumë se dhjetë plumba drejt pronës.
Plumbat kanë goditur portën hyrëse të rezidencës, një automjet rekreativ të parkuar në oborr dhe kanë depërtuar edhe në një mur të vilës. Sipas policisë, nga incidenti nuk është raportuar për persona të lënduar.
Në momentin e sulmit, Rihanna ndodhej në shtëpi së bashku me partnerin e saj, reperin A$AP Rocky, dhe tre fëmijët e tyre të vegjël, megjithëse nuk është konfirmuar nëse të gjithë ishin të pranishëm në momentin e të shtënave.
Pas incidentit, automjeti është larguar nga vendi i ngjarjes, por njësia ajrore e policisë e ka gjurmuar deri te qendra tregtare Sherman Oaks Galleria, ku e dyshuara është arrestuar rreth 30 minuta pas thirrjes së parë emergjente.
Nga automjeti i saj është sekuestruar një armë e tipit pushkë automatike dhe disa gëzhoja. Hetuesit nuk kanë bërë të ditur ende motivin e sulmit dhe kanë konfirmuar se deri më tani nuk është gjetur ndonjë lidhje mes të dyshuarës dhe çiftit të famshëm.

