Analisti politik Ilir Deda ka reaguar për zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se një aleancë politike nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë shkeljeve të Kushtetutës apo abuzimeve institucionale.
Deda, përmes një postimi publik, ka shkruar se interesi i vendit duhet të mbrohet mbi çdo interes partiak apo institucional.
“‘Aleanca politike’ nuk nënkupton heshtje gjatë shkeljeve të Kushtetutës, heshtje kur linçohen kritikët, heshtje përgjatë abuzimit institucional. Ruajtje ‘si sytë e ballit’ meriton veç interesi i vendit, jo formacionet partiake apo bartësit institucionalë”, ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja e mandatit të dytë të presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se kjo situatë ka dëmtuar politikën partiake.
“Loja politike me mandatin e dytë të presidentes veç shpërfytyroi politikën partiake, që bazohet vetëm në interes për aq kohë sa partitë kanë nevojë për të. Reagimet emocionale u mbesin votuesve që me çdo kusht refuzojnë të jenë mendjeftohtë dhe të kuptojnë se politika s’ka asgjë të bëjë me dashuri”, ka theksuar ai.
Sipas Dedës, kriza aktuale politike do të mund të ishte shmangur nëse kryeministri Albin Kurti do t’ia kishte bërë me kohë të qartë presidentes Osmani se nuk e ka mbështetjen e tij për një mandat të dytë.
“E sa i përket krizës së tanishme, kjo mund të evitohej lehtë po t’i tregonte me kohë Kurti Osmanit që nuk e ka përkrahjen e tij për mandat të dytë – që do të ishte korrektësia minimale pas një bashkëpunimi gjashtëvjeçar – dhe të gjente një figurë vërtet konsensuale me partitë në opozitë, e jo të luante lojë të fajësimit”, ka shkruar ai.
Deda ka shtuar se, sipas tij, kriza aktuale politike është shkaktuar nga përpjekja për kontroll të plotë mbi institucionet.
“Këtë krizë e ka shkaktuar dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni në vend”, ka përfunduar Deda.

