Inspektorati i Tregut monitoron çmimet e derivateve, paralajmëron masa ndaj operatorëve që shkelin marzhën

by engel

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se po zhvillon mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës në Kosovë për të verifikuar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas njoftimit zyrtar, institucionet janë duke analizuar në mënyrë të detajuar të dhënat që lidhen me çmimet e importit dhe ato që ekspozohen për konsumatorët në tregun vendor. Ky proces po realizohet në bashkëpunim me Administraten Tatimore të Kosovës dhe me institucionet e tjera përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.

banner

Të dhënat e siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës për datën 9 mars 2026 tregojnë se çmimet mesatare të importit për derivatet e naftës kanë qenë 1.44 euro për litër për naftën (dizel) dhe 1.17 euro për litër për benzinën.

Ndërkohë, sipas monitorimit të realizuar nga dita e shtunë deri më tani në pikat e shitjes me pakicë, çmimet për konsumatorët kanë rezultuar më të larta. Dizeli është shitur nga 1.44 deri në 1.55 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.26 deri në 1.31 euro për litër.

Institucionet rikujtojnë se, sipas vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, marzha maksimale tregtare e lejuar është dy eurocentë për litër për shitjet me shumicë dhe dymbëdhjetë eurocentë për litër për shitjet me pakicë. Kjo masë është vendosur për të kufizuar rritjet e pajustifikuara të çmimeve dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë në treg.

Inspektorati ka bërë të ditur se mbikëqyrja e tregut do të vazhdojë në mënyrë të intensifikuar në bashkëpunim edhe me Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Sipas njoftimit, në çdo rast kur identifikohen parregullsi, mosrespektim i marzhës së lejuar ose praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Autoritetet kanë theksuar se publiku do të informohet në kohë për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me situatën në tregun e derivateve dhe rezultatet e inspektimeve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy