Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermani në Kosovë, Rainer Rudolph, në një takim njoftues pas formimit të qeverisë së re.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ambasadori Rudolph e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Gjatë takimit, të dy palët diskutuan për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke vënë në pah se partneriteti Kosovë–Gjermani tejkalon vetëm dimensionin bilateral dhe mbështetet në lidhje të forta politike, ekonomike dhe shoqërore. U theksua edhe roli i diasporës kosovare në Gjermani dhe kontribuimi i bizneseve të qytetarëve të Kosovës atje.
Palët u dakorduan mbi nevojën për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe bashkëpunimit tregtar, si dhe për koordinim të vazhdueshëm në çështje rajonale dhe procesin e dialogut, në funksion të stabilitetit dhe përparimit në rajon.
Në përfundim të takimit, u riafirmua përkushtimi i Kosovës për thellimin e partneritetit me Gjermaninë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

