Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, duke i dënuar ata me gjithsej 52 vjet burgim.
Sipas vendimit të gjykatës, të akuzuarit B.R, D.Rr, F.S, M.R dhe M.K janë shpallur fajtorë për veprën penale “dhunimi”. I akuzuari B.R është dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa D.Rr, M.R, F.S dhe M.K janë dënuar me nga 10 vjet burg secili.
Avokatja e viktimës, Kimete Krasniqi, e ka cilësuar vendimin si të drejtë dhe të merituar, duke theksuar se gjatë procesit janë paraqitur prova të mjaftueshme që vërtetojnë fajësinë e të dënuarve.
“Është vendim i drejtë. Lënda është kthyer në rigjykim, edhe herën e parë janë dënuar njëjtë. Dënimi është meritor, pasi ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tyre”, ka deklaruar Krasniqi.
Rasti ishte rikthyer në rigjykim pas ankesave të avokatëve të palëve të përfshira ndaj vendimit të dhënë në prill të vitit 2024. Në total, për dy raste të ndara të lidhura me dhunimin e vajzës së mitur në vitin 2022 akuzohen 13 persona.
Pesë të dënuarit e këtij vendimi lidhen me rastin e gushtit të vitit 2022, ndërsa tetë persona të tjerë akuzohen për një rast tjetër që kishte ndodhur në qershor të po atij viti. Proceset gjyqësore për pjesën tjetër të të akuzuarve vazhdojnë.

