Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Sven Lange, si dhe ushtruesen e detyrës së Shefes së Operacioneve Aktuale në Stafin Ndërkombëtar, në Divizionin e Operacioneve në selinë e NATO-s, Blanca Hereza Atienza.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Ajo ka vlerësuar mbështetjen e NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, sidomos në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të vendit.
“Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po e përmbyll me sukses mandatin e tij njëvjeçar si drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi atë për kontributin e çmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s”, thuhet në njoftim.
Në fund, theksohet se Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlerat euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO.

