Një rrahje ka ndodhur të martën pasdite në hapësirat e Stacionit të Autobusëve në Pejë, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa katër persona janë arrestuar nga policia lidhur me incidentin.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejë, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 14:00.
Sipas tij, gjatë përleshjes është përdorur edhe një mjet i mprehtë, përkatësisht thikë. Dy personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa katër të dyshuar janë arrestuar në vendin e ngjarjes nga njësitet policore.
“Dy persona janë dërguar për tretman mjekësor, derisa katër janë arrestuar në vendin e ngjarjes. Policia me njësitet relevante ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet lidhur me rastin”, deklaroi Gashi.
Autoritetet policore kanë bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti janë duke vazhduar.

