Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij do ta shqyrtonte mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për presidente, nëse emri i saj do të propozohej nga partia e parë në vend.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haziri tha se në një situatë të tillë LDK-ja do të analizonte nëse është më e arsyeshme të shkohet në zgjedhje të reja apo të mbështetet kandidatura e Osmanit, duke rikujtuar se edhe në të kaluarën partia kishte mbajtur një qëndrim të ngjashëm.
Ai theksoi se nëse emri i presidentes aktuale do të propozohej për një mandat tjetër, LDK-ja do ta diskutonte këtë çështje në organet e saj dhe do të merrte një vendim racional, duke marrë parasysh rrethanat politike.
Haziri theksoi gjithashtu se organizimi i zgjedhjeve në Kosovë është një proces i kushtueshëm, duke shtuar se ndarja e pozicioneve kushtetuese shpesh po shoqërohet me kosto të larta për vendin.
“Ne do ta vlerësonim nëse duhet të shkojmë në zgjedhje apo ta mbështesim Vjosa Osmanin. LDK-ja do të reagonte me racionalitet, sikurse edhe herën e parë. Zgjedhjet janë shumë të shtrenjta në Kosovë”, është shprehur Haziri.

