Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, është arrestuar të mërkurën në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “armëmbajtje pa leje”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se arrestimi ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”.
Sipas Policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin. Pas procedurave fillestare dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Sot, rreth orës 15:00, në rrugën ‘Mehmet Isahi’ në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari është intervistuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka deklaruar Pllana.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa hetimet për këtë çështje janë duke vazhduar.

