Barcelona u largua nga St. James’ Park të martën mbrëma me një barazim ndaj Newcastle United, rezultat që për katalanasit ka një shije mjaft të mirë, pasi vendasit dominuan pjesën më të madhe të ndeshjes. Megjithatë, siç ndodh shpesh me trajnerin Hansi Flick, pas ndeshjes ai u detyrua të numërojë “koston” e këtij rezultati.
Blaugranët u dukën shumë pranë limiteve fizike në pjesën e dytë ndaj Newcastle-it, me disa lojtarë që ndjenë probleme në muskujt e kofshës gjatë ndërprerjeve të lojës. Marc Bernal u detyrua të largohej nga loja në minutën e 75-të duke mbajtur pjesën e pasme të këmbës, ndërsa e njëjta gjë ndodhi me Ronald Araujo vetëm 10 minuta më vonë. Përveç kësaj, Eric Garcia nuk e nisi ndeshjen për shkak të një shqetësimi muskulor që kishte para takimit.
Rasti i Garcias është më shqetësuesi për Flick. Mbrojtësi shumëfunksional është lojtari më i përdorur këtë sezon nga trajneri gjerman, i cili konfirmoi se kishte planifikuar ta aktivizonte në Angli, por dëmtimi e la jashtë. Sipas raportimeve, Garcia do t’i nënshtrohet testeve sot në Barcelonë për të përjashtuar një dëmtim serioz. Megjithatë, ndjesia është se bëhet fjalë vetëm për një problem të vogël dhe ai nuk pritet të mungojë për një kohë të gjatë. Ende nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit apo për sfidën e fundjavës ndaj Sevilla FC, por ekziston mundësia që të jetë në stol të dielën me synimin për t’u aktivizuar nga fillimi javën tjetër.
Ka edhe lajme më pozitive për Bernal dhe Araujo. Sipas mediave katalanase, të dy u zëvendësuan për shkak të ngërçeve dhe jo për ndonjë dëmtim të vërtetë. Në teori, ata duhet të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Sevillas, nëse marrin pushimin e nevojshëm për rikuperim. Edhe vetë Bernal konfirmoi pas ndeshjes se nuk kishte pësuar dëmtim.
Megjithatë, kjo situatë tregoi edhe mungesën e thellësisë në skuadrën e Barcelonës, pasi 18-vjeçari Xavi Espart u detyrua të hynte në lojë dhe të debutonte në një moment shumë të vështirë. Aktualisht, të dëmtuar te Barcelona janë edhe Gavi, Andreas Christensen, Frenkie de Jong, Alejandro Balde dhe Jules Koundé.

