Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ajo gjatë gjithë mandatit të saj i ka qëndruar besnike kryeministrit Albin Kurti dhe agjendës së tij politike.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Hoti deklaroi se për pesë vjet Osmani nuk e ka kundërshtuar Kurtin për asnjë çështje, ndërsa përplasja mes tyre, sipas tij, ndodhi vetëm pasi Kurti nuk e propozoi atë për presidente.
Ai tha se vetë Osmani e ka konfirmuar këtë në deklarimet e fundit, duke shtuar se ajo ka pranuar se ka vepruar në përputhje me kërkesat e Kurtit, përfshirë edhe caktimin e datës së zgjedhjeve.
Sipas Hotit, këto deklarime përbëjnë dëshmi se presidentja ka qenë në shërbim të agjendës politike të kryeministrit. Ai gjithashtu e akuzoi Osmanin për shkelje kushtetuese, duke theksuar se Kushtetuta kërkon nga presidenti mbikëqyrje të rendit kushtetues dhe jo mbështetje të një agjende politike.
Deputeti i LDK-së tha se me deklarimet e saj të fundit, Osmani ka konfirmuar dyshimet që opozita kishte shprehur më herët për raportin e saj me Kurtin.
I pyetur për mundësinë e rikthimit të Osmanit në LDK, Hoti u shpreh skeptik, ndërsa kritikoi edhe mënyrën se si janë zhvilluar bisedimet ndërmjet partive për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Sipas tij, kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata me partitë parlamentare për presidentin, ndërkohë që paralelisht ka biseduar me kandidatë të tjerë, duke e cilësuar këtë proces si një lojë politike dhe kalkulim të qëllimshëm.
Hoti gjithashtu akuzoi Kurtin se po shkakton kriza politike dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja për të shmangur obligimet ndërkombëtare të marra në kuadër të dialogut me Serbinë.
Ai theksoi se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në aneksin e Ohrit, sipas tij, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe në dëm të shtetit të Kosovës.

