Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e quajti mbylljen e rrjetit social TikTok si cenim të lirisë së shprehjes.
“Gjykata Kushtetuese menduaka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot!”, shkroi Rama në X. “Falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar!”.
Vendimi për mbylljen e TikTok erdhi pas vrasjes së të miturit Martin Cani pranë Shkollës “Fan Noli”, në nëntor 2024. Për ngjarjen u dënua me 16 vite burg autori, gjithashtu i mitur, Martio Përlleshaj, shkruan A2CNN,
Pas ngjarjes u organizuan protesta të shumta, me kërkesë për më shumë siguri në shkolla dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit. Pas një konsultimi të gjerë publik, të urdhëruar nga Kryeministri Rama, me prindër në të gjithë vendin, qeveria vendosi të mbyllë rrjetin social “TikTok”.

