Marrëdhëniet Spanjë-Izrael në pikën më të ulët, Spanja tërheq zyrtarisht ambasadoren nga Izraeli

by informim peje

Përshkallëzohen edhe më tej tensionet mes Spanjës dhe Izraelit. Madridi njoftoi këtë të mërkurë, 11 mars, tërheqjen zyrtarisht të ambasadores spanjolle në Izrael, Ana Sálomon. Përfaqësimi i Spanjës në vend do të reduktohet në nivelin e “të ngarkuarit me punë”, në reciprocitet me atë që tashmë kishte bërë Izraeli në ambasadën e tij në Madrid.

Në maj 2024, qeveria Netanyahu kishte tërhequr përfundimisht ambasadoren e tij, Rodica Radian-Gordón, pasi Madrid kishte njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës.

banner

Vendimi spanjoll u mor në mbledhjen e një dite më parë të Këshillit të Ministrave. Sálomon ishte thirrur për konsultime shtatorin e kaluar dhe nuk ishte kthyer më në Izrael. Tensionet mes dy vendeve ishin rritur në kuadër të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, veçanërisht pas reagimeve të Izraelit ndaj deklaratave të qeverisë spanjolle që e cilësonin atë si një genocid ndaj popullsisë palestineze. Madrid kishte njoftuar gjithashtu një sërë masash dhe sanksionesh për të reduktuar marrëdhëniet me vendin, ndërsa më vonë presidenti Sánchez kishte shprehur “admirim” për protestuesit pro-palestinezë që kishin ndërprerë garën çiklistike të Vuelta-s gjatë mbërritjes në Madrid. Atëherë ministri i Jashtëm Gideon Saar e kishte cilësuar qeverinë spanjolle si “antisemite”.

Nëse Spanja do të vendoste të përfaqësohej sërish në Izrael me një ambasador, do të duhej të emëronte një diplomat të ri për këtë post, i cili do të paraqiste kredencialet e tij tek autoritetet izraelite.

Pas rastit të kërcënimit për embargo ndaj Spanjës nga Donald Trump, pas vendimit të qeverisë Sánchez për t’u ndaluar Shteteve të Bashkuara përdorimin e bazave spanjolle për të kryer sulme në kuadër të luftës së zhvilluar me Izraelin kundër Iranit, qëndrimi i Madridit ndaj atyre që cilësohen si veprime jashtë së drejtës ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më i ashpër.

Ndërkohë, pavarësisht dislokimit të fregatës spanjolle Cristóbal Colón në Qipro si pjesë e misionit të NATO-s, ministrja e Mbrojtjes Margarita Robles ka deklaruar se Spanja nuk do të marrë pjesë në misionin e shpallur nga Emmanuel Macron për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. “Për momentin kjo është një mision i propozuar nga Franca, në nivel ndërkombëtar nuk është ngritur as nga NATO e as nga Bashkimi Europian dhe, për rrjedhojë, Spanja nuk ka asgjë për të thënë”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy