Intervista e para dy ditësh e presidentes Vjosa Osmani ka qenë një nga çështjet më të komentuara. Arsyeja për këtë janë deklaratat e saj lidhur me situatën aktuale politike dhe raportin me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Kritikat ndaj kryeministrit dhe shfaqja e “favoreve” që ajo kishte bërë për të e kanë vendosur Osmanin në qendër të vëmendjes, shkruan Gazeta Express.
Nga “besimi” që ajo kishte treguar për Kurtin lidhur me dialogun, te “dëshira” e kryeministrit për një president që nuk merret me politikën e jashtme, e deri te “zotimi” i kryeministrit ndaj saj se do ta përkrahte për një mandat të dytë, ishin disa nga deklaratat që Osmani i bëri në intervistën e saj. Kjo duket se është edhe shpërfaqje e një raporti aspak miqësor mes të dyve, për dallim nga ç’ishte për një kohë.
Madje, presidentja gjatë intervistës së saj “pranoi” se ajo ia kishte dhënë Kurtit datën 28 dhjetor për zgjedhjet parlamentare të fundvitit të kaluar, gjë për të cilën ajo ishte kritikuar mjaft shumë, duke pasur parasysh faktin se partitë e tjera kishin propozuar datë tjetër.
Por kjo intervistë “e bujshme” e Osmanit duket se nuk i ka “rënë në vesh” as Vetëvendosjes.
Pavarësisht kritikave dhe njoftimit të detajeve të prapaskenave, nga VV-ja nuk është bërë ndonjë deklarim. As lideri i kësaj partie, Kurti, nuk ka bërë kurrfarë lloj prononcimi.
Përveç një “paralajmërimi” të bërë para disa ditësh ndaj Osmanit, Kurti nuk ka dhënë ndonjë deklarim tjetër.
Ditë më parë, i pyetur për mundësinë e kthimit të Osmanit në politikë, kryeministri tha se “ajo do të ishte situatë tjetër”.
Edhe pse jo drejtpërdrejt, nga VV-ja, së pari nga Kurti e më pas edhe nga një deputet i kësaj partie, ka pasur deklarime të tjera në formë reagimi ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
Pos që ishin në formë reagimesh, deklarimet e tyre u dhanë edhe në formë aludimesh për “skema”, “plane” e “skenarë” që çojnë drejt shpërndarjes së Kuvendit e që, sipas tyre, do të kuptoheshin shpejt.
Ndërsa sa i përket dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një masë e cila ndalon çfarëdo veprimi deri më 31 mars. Deri atëherë, as deputetët e as Osmani nuk mund të shpallin datë zgjedhjesh apo të marrin ndonjë veprim tjetër. /GazetaExpress

