Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është “shëndoshë e mirë” pas raportimeve se është plagosur në sulmet ajrore SHBA-Izrael. Kështu u shpreh këshilltari qeveritar Yousef Pezeshkian dhe djali i presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
“Dëgjova lajmin se z. Mojtaba Khamenei ishte plagosur. Kam pyetur disa miq që kishin lidhje. Ata më thanë se, falë Zotit, ai është shëndoshë e mirë dhe nuk ka probleme”, tha Pezeshkian në historinë e tij në Instagram.
Televizioni shtetëror e kishte quajtur Khamenein një “veteran të plagosur të luftës së Ramazanit”, por kurrë nuk e specifikoi lëndimin e tij.
Edhe pse autoritetet kanë heshtur për këtë çështje dhe nuk kanë lëshuar asnjë deklaratë se pse ai nuk ka mbajtur një fjalim, siç është zakon, që nga zgjedhja e tij si udhëheqës disa ditë më parë, raportet jozyrtare që qarkullojnë në mediat sociale ditët e fundit kanë pohuar se Khamenei u shtrua në Spitalin Sina me lëndime të rënda në këmbë dhe bark pasi u shënjestrua së bashku me familjen e tij gjatë sulmeve ajrore SHBA-Izrael më 28 shkurt, në të cilat u vranë babai i tij, udhëheqësi i ndjerë Ali Khamenei, dhe disa anëtarë të familjes.

