Fatmir Sheholli do të qëndrojë edhe dy muaj të tjerë në paraburgim, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ka miratuar kërkesën për vazhdimin e kësaj mase.
Lajmi u konfirmua nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila bëri të ditur se vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.
Sipas saj, gjyqtarja e procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës, ka vendosur që masa e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet F.SH., i dyshuar për veprën penale të spiunazhit, të vazhdohet edhe për dy muaj të tjerë.
“Përmes aktvendimit të datës 9 mars 2026 është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale, ashtu që të pandehurit i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh, e cila do të llogaritet deri më 8 maj 2026”, ka deklaruar Gashi për media.
Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor 2025, nën dyshimet për përfshirje në veprën penale të spiunazhit. Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar nga autoritetet kompetente në Kosovë.

