Dhjetë organizata të shoqërisë civile kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, duke shprehur shqetësimin e tyre mbi vendimin e sotëm të Kuvendit, i cili rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në deklaratë, organizatat e cilësuan rastin “Balluku” si një provë për funksionimin e institucioneve demokratike, respektimin e parimit të barazisë para ligjit dhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.
Ato theksuan se imuniteti parlamentar nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mburojë për të shmangur zbatimin e masave të sigurisë gjatë një procesi penal.
Po ashtu, duke vënë në dukje se lufta kundër korrupsionit mbetet një kusht kyç për integrimin e Shqipërisë në , organizatat kërkuan që drejtësia të vijojë punën e saj në mënyrë të pavarur, pa u ndikuar nga presionet politike.
Deklarata e plotë:
Grupi ynë i organizatave të shoqërisë civile shpreh shqetësimin për vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë për të mos miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kufizimin e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Kjo çështje ka qenë për më shumë se tre muaj në qendër të debatit publik, shoqëruar me vonesa të dukshme nga ana e Kuvendit në ndryshim nga precedentët e mëparshëm, duke u shndërruar në një test të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike, për zbatimin e parimit të barazisë para ligjit dhe për besueshmërinë e reformës në drejtësi.
Vendimi i sotëm vjen në një moment kur pritshmëritë e publikut shqiptar janë të qarta: qytetarët presin që çdo dyshim për vepra penale veçanërisht në nivelet më të larta të qeverisjes, të hetohet me shpejtësi, pa pengesa dhe në mënyrë të paanshme nga institucionet e drejtësisë, në respekt të parimit, të gjithë të barabartë para ligjit.
Në këtë kontekst, organizatat e shoqërisë civile theksojnë se imuniteti parlamentar nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si mburojë ndaj zbatimit të masave të sigurisë, në kuadër të një procesi penal. Ai është konceptuar për të garantuar lirinë e fjalës dhe votës së deputetit, e jo për të penguar organet e drejtësisë për një hetim të plotë, të gjithëanshëm dhe efikas të dyshimeve të lidhura me kryerjen e veprave penale.
Parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik, pavarësisht funksionit politik, të jetë i hapur ndaj verifikimit të drejtësisë.
Ndjekja efektive e korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, është një kusht i domosdoshëm për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Organizatat e shoqërisë civile rikujtojnë se procesi i integrimit europian i Shqipërisë është i lidhur drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe me besimin e qytetarëve se drejtësia vepron pa standarde të dyfishta. çdo pengesë institucionale ndaj drejtësisë vonon rrugëtimim drejt BE-së.
Ne i bëjmë thirrje institucioneve që:
a. të garantojnë që çdo proces hetimor dhe masat që janë të nevojshme përgjatë tij, të mund të zhvillohet pa pengesa institucionale;
b. të shmangin çdo interpretim politik të proceseve të drejtësisë që I japin atribute gjyqësore Kuvendit në tejkalim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteve;
c. të forcojnë standardet e transparencës dhe të llogaridhënies në jetën publike.
Kerkojme nga organet e drejtesise të vijojnë punën me vendosmëri dhe profesionalizëm, duke dëshmuar se pavarësia e tyre është e pacenueshme nga vullneti i mazhorancave politike.
Publiku shqiptar pret që institucionet të dëshmojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe se reforma në drejtësi mbetet një proces i pakthyeshëm në rrugën europiane të vendit.
Shoqëria civile mbetet e angazhuar në monitorimin e këtij procesi dhe në mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës, duke kërkuar që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë, pavarësisht fuqisë apo pozicionit politik.
Nënshkruesit
1. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
2. Albanian Woman in Audiovisual (AWA)
3. Qendra Shqiptare për Kërkim Ekonomik (ACER)
4. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCIDEV)
5. Qendresa Qytetare
6. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
7. Instituti për Studime Politike (ISP)
8. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA)
9. Together for Life
10. Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS)

