Qindra shtetas të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në vendet e Lindjes së Mesme, pavarësisht se një numër i konsiderueshëm prej tyre tashmë janë kthyer në Kosovë pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), duke theksuar se institucionet janë duke trajtuar kërkesat për kthim në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet e vendeve përkatëse.
Sipas MPJD-së, rreth një mijë shtetas të Kosovës ndodhen në vendet e Gjirit, përfshirë rezidentë dhe vizitorë të përkohshëm. Bazuar në të dhënat më të fundit nga misionet diplomatike, rreth 600 prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e prekura nga zhvillimet e fundit.
Luftimet në rajon nisën më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake dhe institucioneve të regjimit në Iran. Pas këtyre bombardimeve, Irani ndërmori sulme hakmarrëse ndaj Izraelit dhe disa shteteve të Lindjes së Mesme që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Bahrejnin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Katarin dhe Arabinë Saudite.
MPJD bëri të ditur se procesi i evakuimit të shtetasve të Kosovës nga Izraeli pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji. Ndërkohë, Ambasada e Kosovës në Riad është duke punuar për të mundësuar kalimin e qytetarëve nga Katari, Kuvajti, Bahreini dhe Iraku në Arabinë Saudite, duke lehtësuar pajisjen e tyre me viza saudite.
Sipas ministrisë, ky hap synon që qytetarët të shfrytëzojnë fluturimet komerciale drejt Kosovës nga aeroportet në Jeddah, Dammam dhe Riad. Në të njëjtën kohë, Ambasada e Kosovës në Katar ka mbuluar transportin rrugor të qytetarëve nga Katari dhe Iraku, në mënyrë që ata të vazhdojnë udhëtimin drejt Kosovës.
Ndërkohë, në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rifilluar fluturimet komerciale, dhe ambasada e Kosovës atje po asiston qytetarët për organizimin e kthimit të tyre.
Përveç qytetarëve të Kosovës, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë evakuuar edhe shtetas të vendeve të tjera të rajonit. Autoritetet njoftuan se në Prishtinë kanë mbërritur edhe disa shtetas të Bosnje e Hercegovinës, ndërsa përmes të njëjtit aeroport janë kthyer edhe qytetarë të Maqedonisë së Veriut.
Sipas raportimeve të mediave, një grup prej 153 pasagjerësh nga Maqedonia e Veriut është evakuuar të mërkurën, ndërsa autoritetet maqedonase kanë paralajmëruar edhe kthime të tjera gjatë ditëve në vijim. Në mesin e të evakuuarve që nga 8 marsi janë raportuar edhe 13 shtetas nga Kosova.

