Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina, kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit.
Me këto vendime, të pandehurit iu kishte vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj, për shkak të dyshimit se ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile,
Gjykata Supreme, sipas njoftimit të lëshuar për media, ka vlerësuar se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa adresa të banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi, gjë që mund të lehtësojë shmangien nga ndjekja penale, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe vendit tjetër.
“Gjykata Supreme, gjithashtu konstaton se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që paraburgimi është caktuar me vendim të gjykatës kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale është ende në fazën fillestare”, thuhet në komunikatën për media.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull, prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

