Haradinaj: Kosova në krizë të thellë politike e institucionale, të tejkalohen interesat partiake

by engel

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj situatës aktuale politike në vend, duke e cilësuar atë si një gjendje të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë, ndërsa institucionet vazhdojnë të mbeten në një ngërç të thellë.

Në një reagim publik, Haradinaj ka theksuar se Kosova po përballet me një situatë të pazakontë institucionale, me parlament të pezulluar dhe me afat kushtetues të kaluar për zgjedhjen e presidentit të ri.

banner

“Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë. Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka vlerësuar se kjo situatë është rezultat i interesave personale dhe partiake të atyre që, sipas tij, do të duhej të gjenin zgjidhje për krizën politike.

“Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake”, ka theksuar ai.

Sipas Haradinajt, vendi ndodhet në një moment vendimtar dhe kërkohet bashkim politik për të rikthyer normalitetin institucional. Ai ka bërë thirrje që të tejkalohen dallimet partiake dhe të vendoset interesi shtetëror mbi atë politik.

Në reagimin e tij, kreu i AAK-së ka theksuar se Kosova historikisht ka pasur njerëz që kanë ditur të marrin vendime të rëndësishme në momente të vështira dhe të rreshtohen me aleatët ndërkombëtarë.

Ai ka përfunduar duke bërë thirrje për bashkim politik dhe shoqëror me qëllim që vendi të rikthehet në normalitet institucional dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimeve euroatlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy