Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë vendim disiplinor ndaj përfaqësuesit zyrtar të KF Drenica, Granit Koci, pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen kundër KF Dukagjini.
Sipas raportit të personave zyrtarë të ndeshjes, incidenti filloi në minutën e 34-të, kur Koci, për shkak të kundërshtimit të vendimeve të gjyqtarit, hyri në fushën e lojës. Për këtë veprim ai u ndëshkua me karton të kuq direkt për sjellje jo sportive. Gjatë largimit nga fusha, ai gjithashtu kërcënoi asistentin e parë të gjyqtarit.
Ngjarjet vazhduan edhe pas përfundimit të pjesës së parë. Edhe pse ishte përjashtuar nga ndeshja, Koci hyri në korridoret e zhveshtoreve të gjyqtarëve, ku sipas raportit zyrtar ai shau, ofendoi dhe kërcënoi gjyqtarin kryesor së bashku me disa persona të tjerë, duke përdorur fjalët: “Nëse nuk fitojmë, ti nuk del i gjallë nga Skenderaj.”
Për më tepër, në pjesën e dytë të ndeshjes ai arriti sërish të afrohej pranë vijës së fushës dhe vazhdoi protestat ndaj vendimeve të gjyqtarit, pavarësisht se ishte ndëshkuar me karton të kuq. Pas ndërhyrjes së personave përgjegjës, ai u largua nga stadiumi.
Bazuar në nenin 14 paragrafi 1 dhe 2, pika A dhe D, si dhe nenin 15 paragrafi 1 pika J të Rregullores Disiplinore të Federata e Futbollit e Kosovës, Komisioni Disiplinor ka vendosur që Granit Koci të dënohet me tre muaj ndalim pjesëmarrjeje në çdo veprimtari sportive të organizuar nga FFK-ja.

