Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar intensifikim të sulmeve ndaj Iranit, duke deklaruar se forcat amerikane do të godasin objektiva iraniane “shumë fort” gjatë ditëve të ardhshme.
Në një intervistë për Fox News Radio, Trump tha se operacionet ushtarake pritet të shtohen në javën e ardhshme, ndërsa konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po i afrohet javës së tretë.
“Do t’i godasim shumë fort gjatë javës së ardhshme”, deklaroi Trump, duke sinjalizuar vazhdimin e ofensivës së përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit.
Ofensiva ka nisur më 28 shkurt me sulme ajrore ndaj objektivave iraniane, të cilat çuan edhe në vdekjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Përplasjet e fundit kanë nxitur përshkallëzim të tensioneve në rajon dhe kanë ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se që nga fillimi i operacionit janë goditur më shumë se 15 mijë objektiva të lidhura me Iranin.
“Midis forcave tona ajrore dhe atyre izraelite janë goditur mbi 15 mijë objektiva armike. Kjo është më shumë se një mijë objektiva në ditë”, u tha Hegseth gazetarëve, duke shtuar se dita e premte pritet të shënojë numrin më të lartë të sulmeve që nga fillimi i fushatës ajrore.
Sulmet dhe kundërsulmet me raketa dhe dronë kanë përfshirë një pjesë të gjerë të rajonit të Gjirit, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim edhe më të madh të konfliktit.

