Engelbert Zefaj, profesor i ekonomisë, ka thënë në EURO n’T7 se ngritja e çmimit të naftës është edhe një problem shtesë në problemet tona ekonomike të shkaktuara nga një qeveri e paaftë për t’i adresuar drejt hallet e qytetarëve.
Sipas Zefajt, të dhënat e fundit të publikuara për inflacionin flasin për një rritje të çmimeve për 6%, por kjo nuk është e saktë, sepse gjatë kalkulimeve janë futur produkte e shërbime që qytetarët nuk i përdorin kurrë.
Gjendja, sipas tij, është shumë më e rëndë sesa paraqitet.
“Është një inflacion shumë i madh dhe i papërballueshëm për shumicën e qytetarëve tanë. Po thuhet se inflacioni i gjithëmbarshëm është 6%, por kur i marrim produktet bazike, si mishin, qumështin, makaronat dhe të ngjashme, inflacioni është 17%. Bilanci tregtar i Kosovës është 1 me 7: importojmë 7 miliardë dhe eksportojmë rreth një miliard, pra paratë tona çdo ditë po i eksportojmë në mungesë të prodhimit të brendshëm”, ka thënë Zefaj.
Asnjë parametër ekonomik, sipas Zefajt, në vend nuk të jep shpresë për përmirësim të gjendjes ekonomike dhe frenim të migrimit si pasojë e kushteve të rënda ekonomike.
“Në pesë vitet e fundit ne i kemi 300.000 njerëz, fuqi punëtore, që e kanë lëshuar Kosovën. Qeveria nuk i tregon këto shifra, por mjafton t’i shohim raportet e ambasadave që kanë dhënë viza pune për qytetarët tanë, ku së paku janë 50.000 njerëz në baza vjetore që marrin rrugën e gurbetit. Kur të zbrazet Kosova, automatikisht bie fuqia blerëse, konsumuese dhe fuqia njerëzore që e kemi pasur si pasurinë tonë më të madhe”, ka shtuar Zefaj.

