Pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe emisarit të Bashkimit Evropian Peter Sorensen, ambasadori i BE-së në Kosovë Aivo Orav njoftoi se është arritur pajtim për nisjen e zbatimit të Ligjit për të Huajt, i cili do të shoqërohet me disa masa shtesë përmbajtësore.
Sipas Orav, vendimi vjen pas javësh diskutimesh intensive mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës. Ai bëri të ditur se ligji do të hyjë në zbatim duke filluar nga dita e nesërme, ndërsa procesi do të përfshijë mekanizma shtesë për të lehtësuar zbatimin e tij në praktikë.
Ambasadori theksoi se një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes lidhet me regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës, si dhe me personat që posedojnë leje qëndrimi të përkohshme në vend. Sipas tij, këto masa synojnë të sigurojnë një proces të rregullt dhe të koordinuar gjatë fazës së implementimit.
“Jemi përqendruar në zbatimin e Ligjit për të Huajt, që do të fillojë nga nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot është arritur pajtimi për zbatimin e këtij ligji me disa masa përmbajtësore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”, deklaroi Orav.
Takimi mes palëve u zhvillua në një moment kur dialogu dhe çështjet administrative që lidhen me funksionimin institucional në veri të Kosovës mbeten ndër temat kryesore në agjendën e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

