Ish-kryeministri i Kosovës dhe aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka ngritur shqetësime për gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se inflacioni po vazhdon të gërryejë të ardhurat e familjeve kosovare.
Sipas tij, rritja e çmimeve ka vazhduar edhe gjatë muajit të fundit, ndërsa çmimet e derivateve janë rritur ndjeshëm dhe nuk pritet të shënojnë ulje në një periudhë të afërt. Hoti ka paralajmëruar gjithashtu se tarifat e energjisë elektrike mund të përballen me rritje të tjera, duke shtuar presionin financiar mbi qytetarët.
Ai ka vlerësuar se ekonomisë së vendit po i mungojnë qindra miliona euro për shkak të mungesës së shpenzimeve kapitale nga ana e shtetit. Sipas Hotit, projektet madhore infrastrukturore, të cilat zakonisht përfshijnë investime të mëdha dhe kanë ndikim zinxhiror në zhvillimin ekonomik, kanë mbetur të bllokuara ose nuk kanë nisur fare.
Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se që nga dhjetori i vitit 2024, kur përfundoi mandati i legjislaturës 2021–2025, ka mungesë të mbikëqyrjes parlamentare ndaj qeverisë dhe institucioneve që raportojnë para Kuvendit. Sipas tij, ende nuk janë shqyrtuar as raportet e auditorit për buxhetin e vitit 2024.
Hoti ka përmendur gjithashtu rritjen e kreditimit për familjet dhe për sektorin e bujqësisë, kryesisht me shuma relativisht të vogla dhe me norma të larta interesi. Sipas tij, kjo është një shenjë e mungesës së të ardhurave për mbulimin e shpenzimeve të zakonshme të përditshme.
Ai ka theksuar se në mungesë të politikave fiskale dhe industriale, importet vazhdojnë të rriten pa një strategji të qartë për zëvendësimin e tyre me prodhim vendor, të paktën për mallrat bazë.
Duke iu referuar statistikave zyrtare, Hoti ka theksuar se Kosova, së bashku me Shqipërinë, renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të emigrimit në rajon. Sipas tij, rreth 210,442 persona, ose 13 për qind e popullsisë së Kosovës, kanë kërkuar lejeqëndrim në Bashkimin Evropian gjatë periudhës 2020–2024, përqindje që është dyfish më e lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

