Shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka përshëndetur pajtimin e arritur sot midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për implementimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjetet.
“Përshëndes marrëveshjen për zbatimin e ardhshëm të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet, ky është një hap i rëndësishëm përpara në adresimin e një çështjeje praktike që prek jetën e përditshme të njerëzve. Urime Kryeministrit Kurti, Përfaqësuesit Special të BE-së Peter Sorensen dhe Ambasadorit Aivo Orav për lidershipin dhe angazhimin e tyre,” ka thënë McGurk.
Ky urim vjen pas deklaratës së Ambasadorit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav, i cili njoftoi se nga dita e nesërme do të nisë zbatimi i Ligjit për të Huajt, duke përfshirë edhe disa masa shtesë për regjistrimin e banorëve serbë dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme.
Orav, pas takimit me Kryeministrin Albin Kurti dhe Përfaqësuesin Special të BE-së Peter Sorensen, tha se gjatë javëve të fundit janë zhvilluar bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës për mënyrën e zbatimit të këtij ligji, duke theksuar rëndësinë e koordinimit për të siguruar një proces të qetë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.

